Secondary Adv

Buxheti me suficit për të tretin vit radhazi, pasojë e mosrealizimit të shpenzimeve publike

Buxheti i shtetit regjistroi suficit prej 47 miliardë lekësh në 9-mujorin e vitit 2025, për të tretin vit radhazi, kryesisht si pasojë e mosrealizimit të shpenzimeve publike.

Të ardhura më të larta, shpenzime më të ulëta

Sipas të dhënave zyrtare, gati gjysma e suficitit – 23.3 miliardë lekë – rrjedh nga fondet e parealizuara në shpenzime. Kjo nënkupton se shteti ka arkëtuar më shumë të ardhura se programi, ndërsa nuk ka arritur të realizojë në kohë shpenzimet e planifikuara, pavarësisht ndryshimeve me akte normative gjatë vitit.

Ekspertët e financave vlerësojnë se ky suficit, ndonëse në dukje pozitiv, nënkupton vonesa në projekte publike dhe mungesë të injektimit të fondeve në ekonomi, sidomos në sektorë si bujqësia, që vuan nga mungesa e subvencioneve.

 

Trend trevjeçar i suficitit buxhetor

Për herë të parë pas një dekade me deficite të qëndrueshme, buxheti shqiptar kaloi në suficit që nga viti 2022. Në vitin 2024, suficiti arriti kulmin me 68 miliardë lekë, ndërsa në 2025 mbeti në nivele të larta – 47 miliardë lekë – duke reflektuar një konsolidim fiskal të qëndrueshëm.

 

Ku munguan shpenzimet?

Shpenzimet korrente u realizuan në 471.2 miliardë lekë, me një mosrealizim prej -13.6 miliardë lekësh ndaj planit, ndërsa ato për personelin ishin 1.5 miliardë lekë më pak. Interesat e borxhit publik u ulën me 7.6%, ndërsa subvencionet ranë me -6.5% krahasuar me planin.

Fonde të tjera si pensionet dhe sigurimet shoqërore u realizuan 1.5 miliardë lekë më poshtë, ndërsa ndihma ekonomike dhe pagesat e papunësisë shënuan rënie përkatësisht me -10% dhe -5.7%.

 

Investimet publike – pika e dobët

Investimet publike mbetën në 56.7 miliardë lekë, me një mospërmbushje prej gati 10 miliardë lekësh (-14.9%) ndaj planit. Projektet me financim të huaj patën vonesat më të mëdha, ndërsa ato me burime të brendshme u ulën me 7.6 miliardë lekë. Sipas ekspertëve, ky fenomen tregon për zvarritje administrative dhe mungesë koordinimi ndërinstitucional.

 

Pasoja në ekonomi

Suficiti tregon disiplinë buxhetore, por kur buron nga shpenzime të parealizuara, ai sinjalizon mungesë efikasiteti në menaxhimin e fondeve publike. Kjo nënkupton projekte të vonuara, ndikim të kufizuar në ekonomi reale dhe përfitime të shtyra për qytetarët.

Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat